Tropoja ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe kufizohet në veri me Malin e Zi, në jug me Rrethin e Hasit, në perëndim me Qarkun e Shkodrës (me rrethet Shkodër dhe Pukë) dhe në lindje me Republikën e Kosovës.
Tropoja është një zonë tipike malore. Si një pjesë përbërëse e Alpeve Shqiptare, hapësirën më të madhe të sipërfaqes së rrethit e zënë malet e larta. Lartësia mesatare e rrethit të Tropojës është ndër më të lartat në Shqipëri – 1105 m mbi nivelin e detit.
Klima në Tropojë është malore në zonën e Alpeve dhe mesdhetare kontinentale në pjesën tjetër, e karakterizuar me dimër të gjatë e të ashpër dhe verë të shkurtër e të freskët. Temperatura mesatare në Pellgun e Tropojës është 11.5 °C; 0.2 °C në stinën e dimrit dhe 21 °C në stinën e verës. Gjatë vitit ka mesatarisht 198 ditë me diell. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1735 mm. Gjatë dimrit reshjet e dëborës janë të shpeshta dhe ka maja malesh mbi të cilat bora nuk shkrihet asnjëherë. Erërat fryjnë nga veriu: Masat ajrore “Veriu i zi” që vijnë nga verilindja nëpërmjet Qafës së Morinës (pikës kufitare me Republikën e Kosovës), masat ajrore “Veriu i bardhë” që vijnë nga veriu nëpërmjet luginës së lumit të Gashit, të cilat sjellin masa ajrore të ftohta. Ndërsa “Era” që fryn nga jugu përgjatë Luginës së Valbonës përcjell masa ajrore të ngrohta dhe me lagështi të konsiderueshme.